Rreth nesh
Numrat Seritë Blog
ESE Intervistë
Të gjithë artikujt
AUTORI
Filozofi Psikologji/Psikanalizë Letërsi Sociologji
DOKUMENTAR LIGJËRATË PUBLIKE

Le të jemi të vëmendshëm

Le të jemi të vëmendshëm

Friedrich Nietzsche

Le të jemi të vëmendshëm se mos mendojmë se bota është qenie e gjallë. Kah do të zgjerohej? Me çka do të ushqehej? Si do të rritej e do të shumohej? E kemi një përfytyrim të natyrës së organikes; por nuk duhet ta riinterpretojmë atë që është tërësisht derivative, e vonshme, e rrallë, dhe aksidentale, të cilën e perceptojmë vetëm mbi cipën e tokës dhe ta shndërrojmë në diçka esenciale, universale dhe të përhershme, siç bëjnë ata njerëz që e quajnë universin organizëm. Kjo më bën të vjellë. Le të jemi të vëmendshëm madje se mos besojmë se universi është makinë: sigurisht se nuk është ndërtuar me një qëllim në mendje, e ta quash “makinë” është ta nderosh shumë lart.

Le të jemi të vëmendshëm se mos supozojmë se në përgjithësi dhe kahdo ka diçka aq elegante sa lëvizjet ciklike të yjeve tanë fqinjë; madje veç një hedhje shikimi drejt Rrugës së Qumështit ngjallë dyshime se mos vallë atje ka lëvizje shumë më të vrazhda e më kontradiktore, edhe yje me shtigje përjetësisht lineare. Rendi yjor në të cilin jetojmë është përjashtim; ky rend dhe kohëzgjatja relative që varet nga ai e kanë bërë të mundur edhe njëherë përjashtimin e përjashtimeve: formimin e organikes. E megjithatë, karakteri i përgjithshëm i botës është kaos për tërë përjetësinë – jo në kuptimin se i mungon pashmangshmëria, por se i mungon rendi, rregullimi, forma, bukuria, urtësia, dhe çfarëdo emrash të tjerë që u janë dhënë antropomorfizmave tanë estetikë. Gjykuar nga këndvështrimi i arsyes tonë, përpjekjet e pasuksesshme janë dukshëm rregulli, përjashtimet nuk janë qëllimi sekret; e tërë kutia muzikore e përsërit pafund motivin e saj e cila asnjëherë nuk guxon të quhet melodi – dhe në fund edhe shprehja “përpjekje e pasuksesshme” është tepër antropomorfike dhe e papranueshme.

Por si do të mund ta përbuznim apo lavdëronim ne universin? Le të jemi të vëmendshëm se mos i atribuojmë pandjeshmëri dhe paarsyeshmëri, ose të kundërtat e tyre: nuk është as i përkryer as i bukur, as bujar, as nuk dëshiron të bëhet ndonjëra prej këtyre; dhe as nuk përpiqet ta imitojë njeriun në kurrfarë mënyre. Asnjë prej gjykimeve tona estetike dhe morale nuk vlejnë për të. As nuk ka kurrfarë instinkti të vetëmbrojtjes apo çfarëdo instinkti tjetër; dhe as që i nënshtrohet ndonjë lloj ligji.

Le të jemi të vëmendshëm se mos themi që ka ligje në natyrë. Ka vetëm pashmangshmëri: s’është askush që komandon, askush që nënshtrohet, askush që mëkaton. Sapo ta kuptosh se nuk ka qëllime, e kupton që nuk ka as aksidente; sepse vetëm në një botë qëllimesh fjala “aksident” ka kuptim.

Le të jemi të vëmendshëm se mos themi se vdekja është e kundërta e jetës. Të gjallët janë vetëm një lloj i asaj që është e vdekur, madje lloj shumë i rrallë. Le të jemi të vëmendshëm se mos mendojmë se bota krijon përherë gjëra të reja. Nuk ekzistojnë substanca të përjetshme; materia është po aq gabim gjykimi sa edhe perëndia e Eleatikëve.

Por kur do të heqim dorë nga kujdesi dhe maturia jonë? Kur do të pushojnë së errësuari mendjet tona  gjithë këto hije të Zotit? Kur do ta përfundojmë çhyjnizimin e natyrës? Kur do të mund ta fillojmë “natyralizimin” e njerëzimit në kuptimin e një natyre të dëlirë, rishtas të zbuluar, të sapo shpëtuar?

Autor: Friedrich Nietzsche

Përkthimi: Përktheu nga anglishtja: Alban Bokshi.

Rreth artikullit: Marrë nga paragrafi 109 i librit Die fröhliche Wissenschaft (The Gay Science) i filozofit Friedrich Nietzsche.

Publikuar nga:

Instituti Britm i parë është organizatë jo-fitim prurëse që për qëllim ka promovimin e mendimit filozofik, artit dhe kulturës, përmes botimeve, përkthimeve, ligjëratave, duke sjellë mendimin filozofik më pranë lexuesit dhe duke nxitur të menduarit filozofik për çështjet më kritike të shoqërisë. I themeluar në tetor të vitit 2020 në Prishtinë, Britm i parë ka publikuar ueb-faqen e tij e cila do të jetë platforma kryesore e komunikimit me publikun.

2 Tetor, 2023
Postime të ngjashme
Përçudnimet e të Drejtave të Njeriut
Shpallja e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë qe pikë kthese në histori. Ajo nuk nënkuptonte asgjë më shumë e as më pak sesa që prej atij momenti e
Pushteti dhe Politika e Michel Foucault-së
Për dikë që shtypi amerikan dhe evropian e ka cilësuar si “Filozofi i Pushtetit,” Michel Foucault është habitshëm i thjeshtë. Me fizik të hajthëm e zë të butë, Foucault është në të vërtetë gjiganti figurativ
A e përplotësojnë Sade dhe Masoch njëri-tjetrin?
Me [Marquis de] Sade-në dhe [Leopold von Sacher-] Masoch-un funksioni i letërsisë nuk është ta përshkruajë botën, meqë kjo është bërë tashmë, por ta përkufizojë pjesën plotësuese të botës që është në gjendje të nxërë
Nuk mund të ketë shoqëri pa kryengritje
Intervistë Kjo intervistë u botua për herë të parë në faqen Virtual Sophists dhe gjendet këtu. Shënim (i botuesit origjinal – v.j.). Pjesë të kësaj interviste janë botuar në arabisht në An Nahar al’arabî wa
Deluzioni si dobi
Shumëkush mendonte se babai im jetonte vetëm. Ai nuk jetonte vetëm. Jetonte me Zotin dhe me aktoren franceze Catherine Deneuve. Ata ekzistonin jashtë tij, por disi ia projektonin zërin e tyre në mendje.  Përgjatë adoleshencës
Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookies për të siguruar përvojën më të mirë të mundshme për përdoruesit. Informacioni i cookies ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihma për ekipin tonë për të kuptuar cilat pjesë të faqes së internetit ju i gjeni më interesante dhe të dobishme.

Cookie't e nevojshëm

Cookie't e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për cilësimet e kukive.